Qeveria e Kosovës ka konfirmuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel më 26 qershor.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për Arbresh.info ka thënë se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara.”, tha Kryeziu.
Ndryshe, ky takim u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ky do të jetë takimi i parë në nivelin më të lartë politik këtë vit. Gjithashtu është ky takimi i parë i liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, pas sulmit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar.