Në 40-vjetorin e vrasjes së tij, është nderuar veprimtaria patriotike e Zijah Shemsiut, i cili një jetë të tërë ia kushtoi atdhedashurisë së kombit. Zijah Shemsiu u mbyt me tortura nga forcat sllavo-komuniste titiste në burgun qendror të Beogradit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sakrificën sublime të Zijah Shemsiut dhe të pararendësve të tij si Fazli Grajqevci e të tjerë e konsideron vazhdimësi të atdhedashurisë pa çmim për liri të vendit.
“I tillë është veçanërisht kapitulli i përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për avancimin e të drejtave të tyre politike në ish-Jugosllavi, për Republikën e Kosovës dhe për bashkim me Shqipërinë. Ky kapitull mund të lexohet te biografia e Adem Demaçit dhe Fazli Grajqevcit, apo te biografia e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, siç mund të lexohet te biografia e Zijah Shemsiut”, tha Kurti.
Atdhetari dhe kombëtari i paepur, i brumosur dhe formësuar me ideologji kombëtare, veproi në vend dhe mërgatë. Ai nuk rreshti së vepruari për lirinë e atdheut. Me rënien në burg dhe dënuar nga sistemi komunist jugosllav, dënimi nuk mjaftoi për ta, pasi me tortura në burgun qendror të Beogradit ia humbën jetën, ndërsa heroi mbeti i palëkundur për asnjë çast, thonë bashkëveprimtarët e tij.
“Ne përkujtojmë Zijahun në çdo 5 maj, në Ditën e Dëshmorëve, po në ditën kur trupi i tij, me bekimin e nënës Luftije, trimi i nënës nën përcjelljen e krushqve të lirisë, u shtri për të pushuar përjetësisht në tokën e atdheut” tha Sami Kurteshi, bashkëveprimtar.
Ndërsa Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve tha: “Ju sugjerojmë edhe institucioneve të vendit, Prishtinë, Tiranë, Shkup e kudo që veprojnë, t’ju japin këtyre figurave, atdhetarëve, dëshmorëve dhe heronjve, vendin meritor”.
“Zijahu ishte shembulli më i mirë i gjeneratës së tij, i cili shumë herët, qysh në vitet e ’70, u rreshtua bashkë me shumë shokë për organizimin e mundësive për lirinë e popullit tonë, sepse nga pushteti serb nuk ishin cenuar vetëm të drejtat elementare, por edhe të drejtat kombëtare,” tha Shefik Sadiku nga Shoqata e të Burgosurve Politikë.
Në orët e para të ditës, në këtë përvjetor të rënies së Zijah Shemsiut, në shtëpinë e tij muze në Përlepnicë të Gjilanit u zbulua pllaka përkujtimore për heroin Zijah Shemsiu dhe u organizua akademi./rtk
























