Ardern theksoi se me përfundimin e vaksinimit, Zelanda e Re do të hapë dyert e saj për udhëtarët ndërkombëtarë nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm, shkruan Kosova Post.
Në kuadër të hapave të normalizimit që do të ndërmerren ndaj pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kufijtë e Zelandës së Re do të rihapen për udhëtarët ndërkombëtarë në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan AA.
Zelanda e Re konsiderohet si një nga vendet që luftoi me sukses pandeminë COVID-19, ndërkohë qeveria e këtij vendi ka planifikuar ndërmarrjen e hapave të normalizimit.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se janë duke pritur që fushata e vaksinimit të përfundojë deri në fund të vitit dhe se kufijtë nuk do të hapen deri në atë kohë.
Ardern theksoi se me përfundimin e vaksinimit, Zelanda e Re do të hapë dyert e saj për udhëtarët ndërkombëtarë nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm.
– Turizmi është ndër sektorët kryesorë në vend
Vendimi i qeverisë për hapjen e kufijve u mirëprit nga komuniteti i biznesit.
Turizmi është një nga sektorët kryesorë në vend, i cili pret rreth 3 milionë turistë çdo vit.
Kryeministrja Ardern gjithashtu njoftoi se do të zgjasin periudhën midis dozës së parë dhe dozës së dytë të vaksinës Pfizer nga 3 në 6 javë.
Zelanda e Re, e cila ka një popullsi prej rreth 5 milionë banorësh, deri më sot ka regjistruar gjithsej 2.913 raste me COVID-19 dhe 26 viktima.