Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Turqia është e gatshme të evakuojë me anije mbrojtësit e plagosur dhe të vdekur të qytetit të rrethuar Mariupol, transmeton KosovaPost.
Zelenskyy tha se kanë arritur një marrëveshje me Turqinë se ajo do të nxjerrë të plagosurit dhe të vdekurit me anije, për t’i transportuar ata në Berdiansk, një qytet bregdetar rreth 69 kilometra nga qyteti Mariupol.
“Ne presim miratimin nga Putin. Ky moment varet nga ai”, u tha Zelenskyy gazetarëve ukrainas.
Ai shtoi se e gjithë infrastruktura është gati për të larguar të plagosurit dhe të vdekurit nga qyteti.
Më herët, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se Turqia mund të sigurojë mbështetje nga anijet për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve nga qyteti Mariupol.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës, e cila është përballur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.430 civilë janë vrarë dhe rreth 2.100 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.2 milionë ukrainasë po ashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit./AA