Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pranuar formalisht Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën nga ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ambasadori i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, në konferencë për media pas dorëzimit të raportit, tha se anëtarësimi në BE është çështje strategjike dhe këtu përshtatja e vlerave të Kosovës me politikat e sigurisë së jashtme vlerësohet lartë.
Sipas Szunyog, reforma elektorale në vend është vlerësuar po ashtu si një nga të arriturat në raport, ndërsa ka theksuar nevojën për reforma më të mëdha ekonomike në mënyrë që të rriten investimet dhe vendet e reja të punës.
“Raporti rekomandon që Kosova të bëjë më shumë për të implementuar legjislacionin kundër korrupsionit që është miratuar kohëve të fundit”, theksoi Szunyog ndër të tjera.
Ai tha po ashtu se rekomandimet e raportit të kaluar në administratë nuk janë implementuar mjaftueshëm.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se raporti për herë të parë thekson se nga 1 janari 2024 qytetarëve të Kosovës u mundësohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe raporti konstaton se Qeveria e Kosovës ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejtë BE-së.
“Raporti përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme për Luftën në Ukrainë dhe vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në përputhje të plotë me ato nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Angazhimi i Qeverisë drejt BE-së është gjithnjë e më i madh”, theksoi Bislimi.
Në gjetjet kyçe të Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2023 të publikuar nga Komisioni Evropian, është thënë se mungesa e bashkëpunimit mes palëve dhe mospajtimet brenda shumicës parlamentare, kanë qenë sfidë për reforma.
Për procesin e dialogut është thënë se Kosova ka mbetur në përgjithësi e angazhuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të dëshmojë më tepër përkushtim serioz, të investojë më tepër kohë dhe të bëjë përparime për të çuar para procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Po ashtu në raport është thënë se situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza të intensiteteve të ndryshme, ndërsa është thënë se sulmi i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit.
Po ashtu është përmendur edhe nevoja për mbajtjen sa më shpejtë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.


























