Eshtrat e zhvarrosur në Kizhevak të Serbisë që u përkasin shtatë personave të vrarë në Masakrën e Rezallës, dhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura disa vjet më parë në Rashkë, janë varrosur sot me nderime shtetërore në varrezat e martirëve në fshatin Rezallë të Drenicës.
Aty, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka thënë familjarëve se nuk do të ndalen derisa të sjellin drejtësi për ta.
“Të pushkatuar me pothuajse te gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999 nga forcat shtetërore të Serbisë u rrëmbyen e groposën në varreza masive në Kizhevak e Rudincë të Serbisë, por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive, këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kemi obligim që të bëjmë të gjithë sa mundemi e dimë që t’i premë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Të dashur familjarë jemi bashkë për të nderuar sot dëshmorët e martirët e për të mos lejuar harresën dhe mizoritë që ndodhen, jemi gjithmonë bashkë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë, nuk do të ndalemi derisa të sjellim drejtësi për ta”, deklaroi Kurti.
Ceremonia e varrimit është bërë nga Komuna e Skenderajt, kryetari i së cilës, Bekim Jashari tha se këto arkivole janë arkiva e cila argumenton se kush ishin kriminelët e luftës.