Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk i japin përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit, e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit.
Kurti gjatë takimit me komunitetin e biznesit të Prishtinës, në kuadër të fushatës informuese “Ditët e biznesit kosovar” të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i qeverisë që e drejton.
Ai tha se Qeveria është e përkushtuar për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të këtij mjedisi në mënyrë që ekonomia e vendit të gëzojë përkrahje efikase dhe të drejtuar kah zhvillimi.
“Është e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja dhe vendore, pa vonesa administrative, me sundim të ligjit dhe me konkurrencë për cilësi. Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet po qe se nuk japim përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit te ne. Avancimi i sektorit privat kërkon një sistem financiar stabil që është në gjendje për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe me kushte të favorshme për bizneset. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë ka një rritje të përshpejtuar prej 9.9% të Bruto Produktit Vendor për këtë vit. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat tatimore janë shtuar për 33.5% në periudhën janar-shtator, ndërkaq eksportet me 68%, kurse numri i të punësuarve për periudhën mars-shtator është rritur me 9,351 punonjës”, tha ai.
Kurti tha se shtimi i të hyrave tatimore është bërë pa ndryshuar politikat fiskale, e për shkak të performancës dhe menaxhimit të mirë financiar tha se buxheti i vitit 2022 është rritur për 220 milionë euro apo 8.7%, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.
I pari i qeverisë tha se qasja në financa dhe kostoja e financimit janë ndër sfidat kryesore që prodhuesit vendor kanë për të zgjeruar kapacitetet e tyre, derisa tregoi se çka përfitojnë nga Pako e Ringjalljes Ekonomike.
“Me masën 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionim prej 20% të kredisë investive, prodhuesi që investon 500,000 euro në zgjerim të kapaciteteve do të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan: 100,000 euro, më saktësisht. Ndërkohë, që ta zëmë me kamatë 6% që duhet t’i kthesh brenda 5 viteve biznesi do të duhej ta kthente përveçse shumën e marrë gjithashtu edhe kamatën prej afër 80 mijë euro, më saktësisht prej 79, 984 euro. Pra, më 1/5 e kryegjësë merr më shumë se sa pagesa për kamatën e gjithmbarshme brenda 5 viteve me 6% interes. Dhe mbështetja jonë nuk do të ndalet me kaq. Sepse me masën 2.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130,000 euro tjera dhe atë shtesë mbi subvencionimin e investimit, për të ngritur kapacitetet e stafit, rritur cilësinë e produktit, dhe gjetjen e tregjeve të reja. Disa nga arritjet që kanë lidhje me zhvillim të sektorit privat janë edhe: Demonopolizimi i terminaleve doganore, të cilat nga mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.