Një 15-vjeçare është njëra prej 6 fëmijëve, të cilët gjatë të martës iu nënshtruan intervenimeve kardio-kirurgjike pas problemeve që kishin në zemër.
Ndërhyrjet u bënë nga një ekip i kardiokirurgëve dhe kardiologëve turq, të cilët do të qëndrojnë për 10 ditë në Kosovë për të kryer edhe 27 operime të tjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjekët turq, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të misionit “Muntada Aid” thonë se qëllimi është t’iu dalin në ndihmë këtyre rasteve e njëkohësisht të trajnojnë mjekët kosovarë për të kryer në të ardhmen këto intervenime pa ndihmën e tyre.
“Ne jemi këtu për të ndihmuar këta fëmijë me probleme të zemrës, ne i shërojmë përmes metodave tona. Misioni po shkon shumë mirë. Do t’i trajtojmë 33 raste. Fusha e shëndetësisë në Kosovë ka nevojë për ndihmën tonë”, tha Kabir Miah, menaxher “Muntada Aid”.
“Me prezencën tonë mjekët e QKUK-së po trajnohen për këto raste, në mënyrë që në të ardhmen t’i realizojnë pa ndihmën tonë këto operacione”, tha drejtuesi i ekipit të mjekëve nga Turqia, Ibrahim Cansaran.
Madje, për disa mjek turq ky nuk është misioni i parë.
“Ky është misioni im i dytë në Kosovë, njerëzit janë shumë të mirë këtu, na lejojnë që t’ju dalim në ndihmë. Stafi i Kardiologjisë janë të profesionalizuar, kemi kontakt të mirë me ata”, tha Erman Cilsal, kardiolog pediatrik.
Bashkëpunimin me mjekë të huaj e kanë mirëpritur edhe profesionistët shëndetësor të QKUK-së.
“Çdo mision tek ne është me shumë benefite, pasi pacientët nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për trajtim, kostoja është zero. Mjekët e Turqisë kanë mbrapa çdo mjek të QKUK-së si hije për ndihmë”, tha Ramush Bejiqi, pediatër dhe kardiolog.
Intervenimet kardio-kirurgjike për 33 rastet po realizohen në Klinikën e Neurologjisë për shkak të aparaturave të reja dhe në një pjesë të Pediatrisë së vjetër.
Ndryshe, ekipi mjekësor nga Turqia përbëhet nga kardiologë, kardiokirurgë, infermierë, anesteziologë dhe teknikë të anestezionit.