Një gjykatë serbe ia ka caktuar masën prej një muaji paraburgim të premten vonë një kosovari të ndaluar në Serbi ditë më parë, thanë familjarët e tij për Radion Evropa e Lirë.
Më 17 prill, autoritetet serbe e ndaluan Sadik Durakun nga komuna e Gjakovës nën dyshime për krime lufte.
Të premten, vëllai i tij, Avdyl Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se gjykata serbe ka marrë vendim ta fusë në paraburgim për 30 ditë Sadikun.
Ai tha se gjendja shëndetësore e Sadik Durakut është e “rëndë”, sepse ai i ka dy stenta të vendosur në zemër.