Rrugën për tek qendra ku dhurohet gjak në Prishtinë po e merr për të 135 herë.
Idriz Pllana tash e 50 vjet është dhurues i rregullt i gjakut.
69 vjeçari edhe ketë të hënë u pranua që të bëhet shpëtimtar për këdo që ka nevojë.
Pllana ishte i emocionuar pasi ishte me frikën se për shkak të moshës nuk do të lejohej të dhuronte gjak.
“E ndjejë vetën shumë të pikllueshëm sot, se ndoshta do të jetë hera e fundit për mu, 135 herë kam dhanë gjak, isha javën e kaluar e isha i dëshpëruar që nuk ma morën gjakun, e falënderoj doktoreshën që me lejojë, e ndjejë vetën tejet të moshuar a ndjej vetën si topi shëndosh”, shpreht Idriz Pllana, dhurues i gjakut.
E momenti i paharruar për të, ishte dhurim i gjakut në vitet e 80 për disa fëmijë të cilët ishin aksidentuar në Drenas.
“Kam dhanë në moshën19-20 vjeçare në Zagreb 7 herë, tani për me qenë i rregullt kam dhenë në vitin 1980 apo 1981, ku ka ndodhë një aksidente në Drenas aty kanë ardhur njerëz me lloje trauma, kemi dhuruar gjak, prej atij momenti kurrë nuk jam ndal. I lusë të gjithë si fëmijët e mijë, dhuroni gjak shpëtoni jetë, është një mburrje edhe një kënaqësi”, ka treguar ai.
E jo vetëm Pllana këtë të hënë shumë qytetarë erdhën këtu.
Kjo pasi këtë të hënë filloi edhe java ndërkombëtare e dhurimit të gjakut.
Doktorresha, Safete Maliqi, tregon kriteret që duhet të plotësojë një person që të dhurojë gjak, derisa ka një apel për të gjithë qytetarë.
“Kriteret që një person mund të jetë ose nuk mund të jetë dhurues i gjakut janë tensioni i gjakut, është pesha e dhuruesit dhe gjendja momentale. Unë kisha apeluar tek të gjithë qytetarët që të dhurojnë gjak, nuk merr shumë kohë, dhe gjatë ditës mund të i kthehen, përditshmërisë dmth, të kthehen në punë ose çfarë do aktiviteti që kanë”, tregon ajo.
Nga dita e hënë e deri në të premten për nder të Ditës Botërore të Dhuruesit Vullnetar të Gjakut, qytetarë mund të dhurojnë gjakun në sheshin “Nënë Terëza”, e në Qendrën e Transfuzionit të gjakut.