Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pothuajse ka përfunduar dërgimin e të gjitha pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i dërgimit është duke u realizuar nga KQZ-ja përmes operatorit ekonomik dhe po zhvillohet sipas planifikimit, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se shumica dërrmuese e pakove tashmë janë dërguar drejt adresave të votuesve jashtë vendit.
Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri të mërkurën në mesnatë, janë shpërndarë 88% e pakove me fletëvotime.
“Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Europë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shete jashtë Europës”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1,941 pakot tjera, por që kjo s’ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.


























