Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën të ditur se sot bashkë me deputetin gjerman të Bundestagut, Peter Beyer, vizituan njërën nga shkollat me mësim gjithëditor në Prishtinë.
Ndërsa flet për vizitën , Abdixhiku thekson përshtypjet e deputetit Beyer i cili ka theksuar se ka parë në atë shkollë një sistem me standarde sikurse në Gjermani.
“Aty pamë nga afër transformimin e vërtetë nga një sistem edukimi me vështirësi, tek një sistem me standarde – në fjalë të Peter – sikurse në Gjermani. Dhe ashtu ishte!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se fëmijët ushqehen me shujta të ngrohta, klasët janë me tabela digjitale dhe ka rafte për çantat e rënda.
“Fëmijë që ushqehen me shujta të ngrohta – të cilat ishin shumë të shijshme; kuzhina moderne, klasë me tabela digjitale, rafte për çantat e rënda, detyra të shtëpisë në shkollë, e aktivitete fizike për fëmijët që rrijnë tani 8 orë në shkollë! Mbi të gjitha një kolektiv arsimor që angazhohet me kaq përkushtim nën drejtimin e Liridonit.”
Për më tepër kryetari i LDK-së, thekson se këtë model do ta implementojnë në gjithë Kosovën.