Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqi dhe EFTA në kuadër të Ministrisë së Jashtme gjermane dhe Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorg Rohde.
Sipas njoftimit të LDK-së, thuhet se në takim është diskutuar për situatën aktuale politike në të cilën po kalon Kosova.
Abdixhiku në takim ka shprehur edhe shqetësimin e tij, lidhur me marrëveshjen e arritur në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Në takim u diskutua për proceset aktuale politike në të cilat po kalon Kosova. Kryetari Abdixhiku shprehu shqetësimin e LDK-së për marrëveshjen e arritur në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është një marrëveshje bazike dhe jo finale; e që po ashtu nuk përmban njohjen nga Serbia.
Për më shumë, kryetari Abdixhiku shprehu mos pajtueshmërinë e plotë me Draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues, i cili draft parasheh një strukturë shtetërore brenda shtetit të Kosovës; një model i rrezikshëm për Kosovën. Në takim kryetari Abdixhiku përsëriti thirrjen që, Qeveria e Kosovës të marrë përfundimisht rolin e kontribuesit konkret dhe gardianit të interest të Kosovës në procesin e dialogut; të sigurojë që çdo zgjidhje të jetë në harmoni me rendin kushtetues të Kosovës.” – thuhet në njoftim.
LDK ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e zhvillimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, por edhe për barrierat politike me të cilat përballen investitorët në Kosovë.