Arritja e Paqes në Ukrainë është më e rëndësishme sesa nxitja e Ukrainës t’i rikthejë territoret e okupuara nga Rusia ka thënë një këshilltar i lartë i presidentit amerikan në ardhje Donald Trump. Ky këshilltar ka përmendur vetëm Krimenë, por jo edhe pjesët e okupuara në lindje të Ukrainës.
Një këshilltar i lartë i presidentit në ardhje të SHBA-së, Donald Trump ka thënë se administrata e re do të përqendrohet në arritjen e paqes në Ukrainë në vend se t’i mundësojë vendit, Ukrainës, rikthimin e territoreve të okupuara nga Rusia.
Bryan Lanza, një strateg në partinë republikane ka thënë për BBC se administrata e Trumpit do të kërkon nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski versionin e tij “realist për paqen”.
Nëse presidenti Zelenski ulet në tavolinë dhe thotë se ne mund të kemi paqe nëse e kthejmë Krimenë, ai na tregon neve se nuk është serioz, ka thënë Lanza. Këshilltari i presidentit Trump nuk i ka përmendur zonat në lindje të Ukrainës.
Bryan Lanza është këshilltar politik i presidentit Trump që nga fushata e vitit 2016. Kujtojmë se Rusia e aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 ndërsa 8 vjet më vonë nisi luftën e plotë për pushtimin e Ukrainës dhe ka pushtuar pjesë në lindje të Ukrainës.
Trump pritet që sapo të marrë detyrën në janar të 2025-s do të nis bisedimet për paqe me rrethin e ngushtë të këshilltarëve të tij.
Sipas Institutit Kiel për Ekonominë e Botës,organizatë kjo gjermane, që nga shkurti 2022 deri në fund të qershorit 2024, SHBA ka furnizuar me armë Ukrainën me vlerë prej 55.5 miliardë dollarëve.