Ditën e djeshme, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së aktorit Bekim Fehmiu, Ministria e Kulturës e Kosovës, organizoi ceremoni përkujtimore, shkruan Kosova Post.
Me këtë rast, Ministri Hajrullah Çeku ndau edhe disa çmime.
Çmimin “Bekim Fehmiu” e mori Afrim Spahiu, ndërsa çmimin për kinematografi e rrëmbeu regjisorja More Raça.
Laureati i çmimit ‘Bekim Fehmiu’, Afrim Spahiu, lajmin për marrjen e shpërblimit, e ndau edhe me miqtë dhe ndjekësit e tij në Facebook.
“Sot është ditë e veçantë për mua, jam laureat i çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Kinematografi, që mban emrin e të madhit “Bekim Fehmiu”. I nderuar nga vlera e madhe që ka, nga shkëlqimi dhe reflektimi që dhuroi Bekimi, nga fama me identitet kombëtar, nga ambicja dhe profesionalizmi me vyrtyte humane dhe mirësie – Bekimi, një YLL që përjetësisht do shëndritë në altarin hyjnor dhe artistik” – shkruan ndër të tjera Spahiu.
Ai i falënderoi ata që e nominuan, komisionin për vlerësimin, si dhe familjarët për mbështetjen.