Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka konfirmuar se Kosova ka mbetur jashtë agjendës së takimit të radhës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të shqyrtohej anëtarësimi apo jo i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, përcjell KosovaPost.
Sipas tij ka gjasa që votimi për pranimin ose jo të Kosovës në Këshillin e Evropës të shtyhet.
“Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”.
Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, sipas tij, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian”.
Shtyrja eventuale, ka argumentuar më tej Ahmeti, do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre.
“Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkëdhelja vitin e kaluar”.
Sidoqoftë, në vlerësimin e tij progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm.
“Kosova tashmë ka të gjitha vlerësimet e nevojshme dhe mëse pozitive nga të gjitha instancat relevante të kësaj organizate. Ajo pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë mes të gjitha anëtareve të tjera, si rezultat i meritës së saj”.