Presidenti i “Vatra” në Turqi, Bora Zukali në një lidhje “Skype” me RTSH-në ka deklaruar se shteti shqiptar i ka ardhur në ndihmë Turqisë me dy ekipe për shpëtimin e personave të mbetur nën rrënojat e tërmetit fatal.
Zukali u shpreh se në zonën e prekur nga tërmeti shkatërrues në Turqi, jetojnë dhe shqiptarë, por ende nuk ka dijeni nëse ka viktima prej tyre. Teksa e konsideron një tragjedi të rëndë, Zukali shprehet se 24 orë pas tërmetit janë shpëtuar 21 mijë persona, ndërsa numri i viktimave është më i lartë se 4 mijë.
“21 mijë veta janë shpëtuar nga rrënojat, 6 mijë e 200 pallate janë rrëzuar komplet. Jemi habitur. Po ndjekim situatën. Numri i viktimave do rritet 5-6 fish. Zoti i ndihmoftë. Ne me qytetarët atje dhe shoqatata shqiptare, që kanë emigruar nga Kosova, Camëria, në ato fshatra jetojnë shqiptarët, janë mirë, po transportohen ndihma. Koha është e keqe. Ka ardhur ndihma me forca speciale nga shteti shqiptar, dy ekipe të vecanta. Kanë arritur në zonën e prekur në Turqi. Po punojnë për shpëtimin e qytetarëve. Rrugët janë të prishura, autortrada janë carë. Tragjedi e madhe dhe e pabesueshme. Deri tani nuk dimë se ka shqiptarë”, tha Zukali.