Voltiza Duro – Mëlçia, e njohur si hepari në gjuhën mjekësore është organi më i madh i trupit, i domosdoshëm në kryerjen e funksioneve bazë të trupit. Ky organ neutralizon helmet nga qarkullimi i gjakut, prodhon agjentët imunë ndaj infeksionit dhe largon bakteret dhe mikrobet nga qarkullimi i gjakut. Por në momentin që indet e dëmtuara zëvendësojnë ato normale, duke bllokuar qarkullimin e gjakut në organ shfaqet cirroza hepatike.
Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku gastroenterolog dhe endoskopisti, Altin Çekodhima liston të gjithë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes dhe më tej tregon komplikacionet që mund të çojnë deri në vdekje. Gjithashtu, Çekodhima thekson për të sëmurët të gjitha mënyrat e trajtimit të cirrozës.
Çfarë është cirroza?
Hepari apo mëlçia prodhon proteina që rregullojnë koagulimin (mpiksjen), e gjakut dhe prodhon bilën e tëmthit, që ndihmon në tretjen e yndyrës dhe vitaminave të tretshme në yndyrë. Pa funksionet e mëlçisë nuk ka jetë. Në cirrozën hepatike indet e dëmtuara zëvendësojnë ato normale, duke bllokuar qarkullimin e gjakut në organ dhe duke mos e lëne atë të kryejë funksionet normale.
Cilat janë disa nga shkaqet që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes?
Cirroza shkaktohet nga disa shkaqe si hepatiti alkoolik. Për shumë njerëz cirroza hepatike është sinonim me abuzimin me alkoolin, por në fakt alkoolizmi është një ndër faktorët. Edhe hepatiti C kronik është një shkaktar i cirrozës, pasi infeksioni nga virusi i hepatitis C shkakton inflamacion të gradës së lehtë në hepar, i cili me kalimin e kohës mund të rëndohet duke çuar në cirrozë. Ndërkohë hepatiti B është ndoshta shkaku më i shpeshtë që shkakton cirrozë në mbarë botën. Si hepatiti C ashtu dhe ai B shkakton inflamacion të heparit, i cili rëndohet me kalimin e kohës duke çuar në cirrozë. Hepatiti D është një tjetër virus, i cili infekton heparin, por vetëm kur është i pranishëm dhe hepatitis B. Edhe hepatiti autoimun është një lloj sëmundjeje shkaktohet nga një reaksion autoimun i trupit, i cili sulmon heparin duke shkaktuar inflamacion, dëmtime të cilat çojnë në cirrozë. Kjo e fundit mund të shkaktohet edhe nga bllokimi i kanaleve biliare të tëmthit, heqja e fshikëzës së tëmthit, medikamentet, toksinat (helmet) dhe infeksionet.
Si dëmtohet mëlçia nga alkooli?
Cirroza alkoolike zakonisht zhvillohet pas një kohe të gjatë abuzimi me alkoolin. Sasia e alkoolit që mund të dëmtojë mëlçinë ndryshon nga një person tek tjetri. Tek femrat, 2-3 gota pije alkoolike në ditë mund të shkaktojnë cirrozë dhe tek meshkujt 3-4 pije në ditë. Alkooli e dëmton mëlçinë duke bllokuar metabolizmin e proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve.
Cilat janë disa nga simptomat e cirrozës?
Shumë njerëz me cirrozë nuk kanë shenja në stadet fillestare të sëmundjes. Mirëpo zëvendësimi i qelizave të shëndosha me ato të dëmtuara çojnë në mosfunksionimin e duhur të mëlçisë. Shenjat e dukshme janë lodhje, humbje oreksi, të përziera, dobësi trupore, humbje në peshë, dhimbje abdominale, shenja në lëkurë (ku enë të holla gjaku bëhen të dukshme në të dhe kanë pamjen e rrjetës së merimangës).
A mund të japë komplikacione serioze kjo sëmundje?
Kur sëmundja përparon, fillojnë komplikacionet. Në disa njerëz sëmundja bëhet e dukshme me komplikacione serioze. Disa nga komplikacionet e cirrozës janë edema dhe asciti që shoqërohen me grumbullimin e ujit në bark apo këmbë; mavijosje dhe hemorragji; verdhëz që paraqitet me zverdhje të lëkurës dhe syve si rrjedhojë e mosabsorbimit të mjaftueshëm të bilirubinës. Por gjithashtu i sëmuri mund të ketë edhe kruarje, gurë në tëmth, apo toksina në gjak dhe tru që mund të dobësojnë funksionet e trurit, duke shkaktuar ndryshime të personalitetit, koma, madje edhe vdekjen. Më tej cirroza ul aftësinë e heparit për të filtruar medikamentet nga gjaku si dhe ngadalëson rrjedhjen e gjakun prej venës, porta e cila rrit presionin brenda saj. Cirroza shkakton edhe rezistencë ndaj insulinës, kancer të heparit, variçe, si dhe probleme në organet e tjera.
Si kryhet diagnostikimi i cirrozës?
Mjeku mund të diagnostikojë cirrozën në bazë të shenjave, analizave laboratorike, historisë mjekësore dhe ekzaminimit fizik. Ai mund të rekomandojë edhe kryerjen e një ekografie të barkut, skaneri apo rezonance magnetike. Biopsia në hepar mund të konfirmojë diagnozën.
Cilat janë metodat e trajtimit të pacientëve?
Dëmtimet e heparit prej cirrozës janë të pakthyeshme, por trajtimi mund të ndalojë ose ngadalësojë ecurinë e sëmundjes dhe reduktimin e komplikacioneve. Trajtimi varet nga shkaqet që çuan në cirrozë dhe në varësi të komplikacioneve të shfaqura. Për shembull, cirroza e shkaktuar nga abuzimi me alkoolin trajtohet duke ndaluar përdorimin e tij. Trajtimi i cirrozës shkaktuar nga hepatit konsiston në trajtimin e hepatitit me anti-viral. Në të gjitha rastet, pavarësisht shkakut të cirrozës, ndjekja e një diete të shëndetshme duke shmangur përdorimin e alkoolit është esenciale, sepse trupi ka nevojë të marrë nutrientët e nevojshëm dhe përdorimi i alkoolit mund të çojë në dëmtime më të shumta të heparit. Antibiotikët mund të jepen për infeksionet që ndodhin si shkak i uljes së imunitetit prej cirrozës. Laksativët rekomandohen për nxjerrjen e toksinave nga zorrët. Për hipertensionin portal mund të jepen beta-bllokues. Në qoftë se nga variçet del gjak mund të bëhet ligimi (lidhja) e tyre duke parandaluar ndonjë hemorragji të mundshme. Mënyra më e mirë e trajtimit është transplantimi i heparit.