Përmes një shkrimi të botuar në gazetën amerikane “The Wall Street Journal”, Fahrettin Altun vlerësoi artikullin e kësaj të fundit me titull “Raketat ruse të Turqisë mund të mbrojnë Ukrainën”, i cili mban firmën e ekspertit për Rusinë dhe Euroazinë, Paul Kolbe, drejtor i Projektit të Inteligjencës në Qendrën “Belfer” dhe ish-agjent me përvojë 25-vjeçare në Drejtorinë e Operacioneve të CIA-s (Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës) në një sërë rolesh brenda e jashtë vendit, përfshi këtu pozicione të rëndësishme si shef Stacioni, shef Divizioni Qendror i Euroazisë dhe shef i Grupit Ballkanik, transmeton Kosova Post.
“SHBA-ja duhet ta ndihmojë Turqinë për të dërguar (sistemet raketore) «S-400» në Ukrainë kundër avionëve luftarakë rusë. Në këmbim të kësaj, Uashingtoni duhet të fillojë dërgesat e (avionëve luftarakë) «F-35» duke ofruar një alternativë të re për turqit. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Turqi”, shkruante Paul Kolbe në artikullin e botuar nga “The Wall Street Journal” më 17 mars.
Kurse drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Altun, në artikullin që shkroi si përgjigje për atë të ish-oficerit të CIA-s, u shpreh me këto fjalë: “Z. Kolbe argumenton se Turqia duhet të dërgojë sistemin rus të mbrojtjes ajrore «S-400» në Ukrainë. Edhe pse mjaft joreale sot, kjo ide paraqet një mundësi për të diskutuar problemet që Turqia ka pasur së fundmi me Perëndimin.”
Zyrtari i lartë turk kritikoi deklaratat e SHBA-së lidhur me vendimin e Turqisë për të blerë raketa të prodhuara nga Rusia duke thënë se ato nuk e pranojnë që Ankaraja ishte e para që iu afrua Uashingtonit për prokurimin e sistemit “Patriot”.
“Duke pasur parasysh se Turqia është në një nga rajonet më të rrezikshme e më të paqëndrueshme në botë dhe se kërcënimet, me të cilat u përball Turqia, nuk u zhdukën në mënyrë magjike me refuzimin e Uashingtonit; Ankarasë i duhej të kërkonte alternativa”, theksoi Altun duke rikujtuar se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar këtë çështje gjatë mandatit të tij.
Sipas tij, Turqisë nuk iu dha shansi për të blerë raketat “Patriot”
“Turqit ende kujtojnë se si aleatët tanë i tërhoqën bateritë «Patriot» nga Turqia gjatë disa prej periudhave më të tensionuara në marrëdhëniet turko-ruse. Nën dritën e përvojës, populli turk nuk e merr më seriozisht asnjë premtim informal nga Perëndimi për furnizimin me «Patriot»”, vijoi Fahrettin Altun.
“Heqja e paligjshme e Turqisë nga Programi «F-35» për arsye politike (për të cilat SHBA-ja nuk e ka njoftuar zyrtarisht dhe ligjërisht Turqinë) e bën të vështirë marrjen seriozisht të karotës metaforike (shpërblimit) të «ripërfshirjes» së Turqisë. Për të zhvilluar argumentin e z. Kolbe lidhur me «S-400», ajo që duhet të bëjë Perëndimi, është t’i dorëzojë Turqisë avionët luftarakë «F-35» dhe bateritë «Patriot» pa parakushte”, shtoi ai në artikullin e titulluar “Turqia thotë se nuk ka marrëveshje mbi «S-400» për Ukrainën”.
Në vitin 2019, Uashingtoni e nxori Turqinë nga Programi “F-35” pasi Ankaraja bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore “S-400”.
Turqia, megjithatë, theksoi se raketat “S-400” nuk do të integrohen në sistemet e NATO-s dhe kështu nuk përbëjnë asnjë kërcënim për Aleancën apo armatimet e saj. Ankaraja gjithashtu ka propozuar vazhdimisht ngritjen e një komisioni për të sqaruar çështjen.
Altun tha po ashtu se është përgjegjësi e Perëndimit dhe e SHBA-së për të normalizuar marrëdhëniet me Turqinë.
“Kriza e Ukrainës ka treguar se sa të gabuara ishin vlerësimet gjeopolitike të atyre që nënvlerësuan rëndësinë strategjike të Turqisë, pretenduan se NATO-s «i kishte vdekur truri» dhe menduan se kufijtë kombëtarë nuk ishin më objekt diskutimi”, shkroi ai.
Pasi vuri në pah se Turqia pret të trajtohet nga Perëndimi ashtu siç e meriton, Altun nënvizoi se ata (perëndimorët) duhet të ndërmarrin masa për ndërtimin e besimit dhe jo të paraqesin pseudopropozime informale për të riparuar marrëdhëniet.
Sa i përket dronit të armatosur “Bayraktar TB2”, i cili është pjesë e inventarit të ushtrisë së Ukrainës dhe po i ndihmon ukrainasit të luftojnë rusët, zyrtari i lartë turk tha se vendi i tij e projektoi dhe prodhoi atë pavarësisht përpjekjeve perëndimore për të penguar procesin.
“Për shembull, Kanadaja bllokoi shitjet e armëve për Turqinë. Politizimi i pakuptimtë i bashkëpunimit të mbrojtjes midis aleatëve të NATO-s reduktoi varësinë e Turqisë nga qeveritë e huaja dhe i shtyu kompanitë turke drejt inovacionit”, potencoi Altun.
Lufta që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022), ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 977 civilë janë vrarë dhe 1.594 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi një ofensivë ndaj fqinjit të saj perëndimor muajin e kaluar, ndërkohë që mbi 3,62 milionë njerëz janë arratisur në vendet fqinje, sipas vlerësimeve të OKB-së.trt.