Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur mbështetjen që i dha Asambleja Parlamentare Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Ai ka thënë se vendi i tij do të punojë me Kosovën që të ketë sukses edhe në vendimin e Komitetit të Ministrave.
“E mirëpres votën e APKE në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Mbretëria e Bashkuar mezi pret të punojë me Kosovën në hapat e ardhshëm për një vendim pozitiv nga Komiteti i Ministrave”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më një shumicë votash votoi pro një raporti që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.