Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për atë që ajo e cilesoi si një fushatë të fortë dhe që u dha zë dhe frymëzoi shumë persona.
Ambasadorja Kim shkruan se duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, liderët politikë do të tregojnë se janë duke vepruar të përgjegjshëm për të mirën e shqiptarëve.
SHBA, shprehet Kim, pret tashmë që të forcohen më tej marrëdhëniet mes dy shteteve për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.
“Ne vërejmë raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe presim atë final, që duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet e Shqipërisë. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori të ndjekin penalisht cilindo që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe,” shkruan ambasadorja.
Reagimi i ambasadores për zgjedhjet, vjen pas një deklarate të bërë nga Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, për zgjedhjet në Shqipëri.
Në një postim në Twitter, Price shkruan:
“SHBA uron shqiptarët për zgjedhjet e bëra së fundmi. Presim që të vijojmë partneritetin tonë të afërt me kryeministrin Edi Rama dhe përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respekti për rezultatet e zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.”