Angela Merkel vlerësoi sulmet e Izraelit ndaj Palestinës dhe përshkallëzimin e tensionit në një prej rajoneve më nevralgjike të botës gjatë programit televiziv “Europaforum 2021” të transmetuesit publik “WDR”, transmeton Kosova Post.
E pyetur nëse do t’i mbështeste edhe bisedimet në një farë mënyre me Hamasin, pasi negociata u zhvilluan gjithashtu me talebanët në Afganistan, shefja e Berlinit zyrtar u përgjigj duke thënë se “bisedimet indirekte me Hamasin janë të nevojshme”.
Ajo rikujtoi se Egjipti dhe vende të tjera arabe janë në kontakt me Hamasin.
“Kjo (zgjidhja) nuk do të realizohet pa asnjë kontakt me Hamasin. S’është e nevojshme që kjo të bëhet gjithnjë drejtpërdrejt, por sigurisht që Hamasi duhet të përfshihet në një mënyrë të caktuar. Sepse pa Hamasin, nuk ka armëpushim”, theksoi kancelarja gjermane.
Duke argumentuar se Izraeli u kundërpërgjigjet sulmeve të kryera ndaj tij, Merkel shprehu mbështetjen e saj për “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”.
Në vijim, ajo dënoi fuqishëm edhe incidentet antisemitiste në Gjermani.
“Megjithatë kjo duhet veçuar nga çështja e kritikave ndaj politikave të shtetit izraelit. Kjo thuhet. Shprehet edhe në Izrael, duhet të shprehet edhe këtu tek ne”, saktësoi Merkel.
Pasi risolli në vëmendje se edhe ajo vetë i ka kritikuar politikën e qeverisë izraelite për vendbanimet, kryeqeveritarja gjermane potencoi se mbajtja e protestave përpara sinagogave, djegia e flamujve dhe kundërshtimi total i judaizmit do të përballen me “zero tolerancë”./trt.net