Ofensiva e ushtrisë ruse për pushtimin e qytetit strategjik të Mariupolit mund të ketë kaluar në nivel edhe më brutal; atë të përdorimit të armëve kimike.
Ministrja e Jashtme në Britaninë e Madhe Liz Truss tha se ka raportime për përdorim të agjentëve kimikë dhe se po punonin me partnerët për të verifikuar detajet.
”Çdo përdorim i armëve të tilla do të cilësohej një përshkallëzimi konfliktit dhe ne do të bëjmë përgjegjës Vladimir Putin dhe regjimin e tij. Ministri i forcave të Armatosura në Britaninë e Madhe James Heappey tha më vonë për Sky News se në rastin se pretendimet do të konfirmoheshin, presidenti Putin duhet ta dijë se perëndimi do të përgjigjet, dhe se të gjitha opsionet janë në tryezë.
Reagimi i fortë nga Britania e Madhe erdhi pasi batalioni Azov, i cili mbron qytetin e Mariupol, tha të hënën se trupat ruse kishin përdorur një substancë helmuese me origjinë të panjohur kundërforcave të Ukrainës dhe civilëve.
Edhe presidenti Volodimir Zelensky u shpreh i shqetësuar për përdorimin e mundshëm të armëve kimike në mesazhin e tij të fundit.
”Sot, dëgjuam nga pushtuesit se po përgatiten për një fazë të re terrori kundër nesh, dhe mbrojtësve tanë. Një prej zëdhënësve të pushtuesëve tha se po konsideronin përdorimin e armëve kimike kundër mbrojtësve të Mariupol. I kujtoj liderëve botërore se është diskutuar edhe më herët për përdorimin e armeve kimike nga ushtria ruse, çka nënkupton se reagimi ndaj agresionit të Moskës duhet të kishte qenë më i fortë dhe më i shpejtë.
Zëvendëskryetari i Mariupol, Serhiy Orlov bëri të ditur për BBC se beteja për qytetin po vazhdon, pavarësisht raportimeve se forcat ukrainase janë pranë kapitullimit dhe rusët mund të marrin shumë shpejt kontrollin. Kryebashkiaku i qytetit strategjik tha për Associated Press se të paktën 10 mijë qytetarë ishin vrarë deri më tani që prej fillimit të luftë, me trupat që sipas tij janë të shpërndarë nëpër rrugë.
Sakaq, burime të ushtrisë ukrainase thonë se trupat e Moskës po ripozicionohen në jug të vendit, nga lumi Bug në kufi me rajonin e Kherson. Autoritetet në Ukrainë paralajmëruan se ushtria e Vladimir Putin ka lënë pas dhjetëra mijëra mina nga zonat ku janë tërhequr, si rajoni i Kievit.
Përdorimi i armëve kimike dhe bakteriologjike shihet nga komuniteti ndërkombëtar si një linjë e kuqe, tejkalimi i së cilës mund të sjellë një reagim edhe më të fortë nga NATO, edhe pse Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë përcaktuar diçka të tillë.