Kryeministri australian Anthony Albanese vizitoi sot spitalin St. George në jug të Sydney, ku u takua me Ahmed Al Ahmedin, njeriun e cilësuar si hero për çarmatosjen e njërit prej sulmuesve gjatë incidentit në Bondi Beach.
Pas takimit, Albanese vlerësoi trimërinë e Ahmedit, duke thënë se ai përfaqëson “më të mirën e vendit tonë”.
“Ahmed, ti je një hero australian. Ti e vure veten në rrezik për të shpëtuar të tjerët”, shkroi Albanese në kompaninë amerikane të rrjeteve sociale X, duke shtuar se “Në kohët më të këqija, ne shohim më të mirën e australianëve dhe kjo është pikërisht ajo që pamë të dielën në mbrëmje. Në emër të çdo australiani, të them faleminderit”.
Duke folur me gazetarët pas vizitës në spital, kryeministri tha se Australia nuk do të lejonte që kombi të ndahej.
“Kjo është ajo që kërkojnë terroristët, por ne nuk do ta lejojmë që vendi ynë të ndahet”, tha Albanese duke shtuar se “Ne do të bashkohemi, do të përqafojmë njëri-tjetrin dhe do ta kalojmë këtë”.
Ahmedi, një baba 43-vjeçar i dy vajzave, rrezikoi jetën e tij duke vrapuar drejt njërit prej personave të armatosur dhe duke i rrëmbyer armën përpara se ta drejtonte armën drejt tij dhe ta detyronte autorin e sulmit të dorëzohej. Ai u qëllua disa herë dhe mori plagë nga arma e zjarrit në krah dhe shpatull.
Sipas policisë australiane, një burrë 50-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar hapën zjarr përgjatë plazhit Bondi në Sydney të dielën në mbrëmje, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur 42 të tjerë që u dërguan në spital për trajtim.
Një nga dy autorët e sulmit u vra ndërsa tjetri mori plagë kritike, tha policia duke e shpallur incidentin një “akt terrorist”.


























