Kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar sërish takimin me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kjo, sipas Abdixhikut ka ardhur për faktin se kreu i shtetit shqiptar duhet të shkonte në selinë e tij, dhe jo në selinë e Kuvendit.
Begaj po viziton për të parën herë Kosovën si president i vendit.
Gjatë kësaj dite ai është takuar me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, ku ky i fundit e ka përgëzuar për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.
Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lartë angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike
Pas takimit me krerët e partive politike, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bazën e NATO-s në Kosovë, ku dhe është takuar me komandantin e KFOR-it.
Kujtojmë se një ditë më parë, Begaj takoi homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani.
“Dy dialekte dhe një gjuhë, dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë me destinacion Brukselin”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët.