Deputetja dhe ish-ministrja e Arsimit, Hikmete Bajrami, ka hedhur akuza ndaj ministres së tanishme, Arbërie Nagavci, se do të financojë disa bursa të studentëve kosovarë për një fakultet në Selanik të Greqisë që sipas saj nuk është shumë i mirë.
Ajo gjatë seancës së Kuvendit ka thënë se në listën e universiteteve më të mira të botës Kolegji i Jorkut është shumë më larg se sa Universiteti i Prishtinës. Nagavci ka nënshkruar një marrëveshje me këtë kolegj për të financuar 60 bursa për studentët kosovarë.
“Kjo marrëveshje në interes të kujt ishte, nuk është në interes shtetëror por besoj edhe as në atë të studentëve. I bëjë thirrje kryeministrit që t’i kërkojë raportit ministres së Arsimit, që kjo marrëveshje të rishikohet dhe anulohet menjëherë. Ky është keqpërdorim i buxhetit dhe ka qenë i tillë prej vitit 2009″, ka thënë Bajrami.
Nagavci është sqaruar për këto akuza nga Bajrami ku ka thënë se nuk ka të përfshirë punëtorë të Ministrisë së Arsimit në konflikt interesi sa i përket ndarjes së bursave.
” Keqpërdorimet në të kaluarën kanë qenë nga stafi i ministrisë që kanë qenë të lidhur ngushtë me politikën dhe kanë përfituar, kësaj radhe nuk kemi lejuar dhe që ndonjë punëtorë do të ketë ndonjë konflikt interesi për të përfituar nga mundësia e shpërndarjes së bursave”.
“Kolegji është pjesë e kampusit evropian të universitetit të Jorkut, diplomat lëshohen nga ai. Nëse e shohim për rangimin, atëherë besoj se duhet të shikohet i universitetit që i pranojnë studentët e që është i ranguar i 133-ti. Dhe për më shumë ajo që e përmenda është e rëndësishme që ne kemi përjashtuar nga mundësia e përfitimit çfarëdo personi që mund të ketë konflikt interesi, siç ka ndodhur në të kaluarën” , ka thënë Nagavci, njofton Klankosova.tv.