Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK), për shkak të pandemisë, ka përgatitur një platformë aktivitetesh të veçanta për muajin e dalluar të Ramazanit, shkruan Kosova Post.
Kryeimami Vedat Sahiti në një intervistë për Kosova Post shpjegoi se si është dashur të përshtaten aktivitetet, me rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë, me synim që të ruhet shëndeti i qytetarëve.
“Është viti i dytë që na gjen pandemia dhe ramazani i dytë, ku ne vetëm se jemi në këtë gjendje pandemike. Ne paraprakisht kemi përgatitur një platformë të veprimtarisë dhe të aktiviteteve tona për këtë muaj të madh të Ramazanit” – ka thënë ndër të tjera Sahiti.
Dallimet me periudhën para pandemike, sipas Sahitit, janë të mëdha:
“Për dallim nga vitet e tjera para pandemisë, ku kemi pasur vizita më shumë në terren dhe kemi vizituar më shumë xhami, kësaj radhe përmes produksionit tonë dhe përmes Drejtorisë së Kulturës dhe Botimeve, kemi incizuar një sërë emisionesh të cilat transmetohen në llogaritë tona zyrtare, qoftë në Facebook, qoftë në Youtobe, qoftë në web-faqen tonë zyrtare. Pra të gjitha ato ligjërata që më herët i kemi mbajtur nëpër terren, tanimë për shkak të pandemisë dhe për shkak të masave që i kemi ndërmarr në parandalim të përhapjes së virusit, kryesisht aktivitetet tona janë në platforma online.”
Pandemia COVID-19, sipas Kryeimamit Sahiti, i ka shtyrë t’i pezullojnë një varg aktivitetesh, “siç është fjala pezullimi i mësim besimit që e kemi mbajt në baza ditore apo javore, nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës, përveç asaj i kemi pezulluar edhe aktivitetet e tjera që mbahen me rastin e netëve të mëdha dhe manifestime të ndryshme që rëndom janë mbajtur gjatë këtij muaji të ramazanit dhe jo vetëm.”
Po ashtu ai vuri në dukje se BIRK është në kontakt me institucionet e vendit, dhe se, aktivitetet e saj i bënë në koordinim me to.
Në fund Sahiti iu bëri thirrje besimtarëve që t’i respektojnë masat, të kenë kujdes që të mos shndërrohen në shkaktarë të përhapjes së virusit./KosovaPost/