Nga BDI kanë thënë se ata e dënojnë me ashpërsi veton, sipas tyre, skandaloze të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova ndaj dygjuhësisë.
“Ky është një sulm i hapur ndaj gjuhës shqipe dhe një përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!
Por ky nuk është një veprim i izoluar, por një strategji qartësisht e koordinuar. Fillimisht, lideri i vlen-it, Afrim Gashi, doli me një deklaratë për të përgatitur opinionin kundër gjuhës shqipe dhe për të krijuar një alibi për këtë lëvizje, e menjëherë pas kësaj, nacionalizmi i tërbuar antishqiptar u aktivizuan për të mohuar dhe sulmuar gjithçka shqiptare. Ky është një agresion kundër shqiptarëve ku VLEN po merr me vetëdije rolin e bashkëpunëtorit. Kjo nuk është vetëm një goditje ndaj gjuhës – është një përpjekje për të kthyer pas shqiptarët, për të çmontuar të gjitha të drejtat e fituara me mund. Qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE, me përkrahjen e VLEN-it, po tregon se nuk ka asnjë interes për bashkëjetesë, por po ndjek një agjendë revanshiste, antishqiptare dhe të rrezikshme.
BDI ka një mesazh të qartë: Gjuha shqipe nuk është monedhë për pazare politike! Ajo është një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme, jo një instrument politik që kjo qeveri mund ta përdorë sipas interesave të saj! U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë qytetarëve që besojnë në bashkëjetesë, botës akademike, shoqërisë civile dhe të gjitha forcave demokratike në vend që të mobilizohen dhe të mos e lejojmë këtë strategji të turpshme të realizohet. BDI nuk do të qëndrojë duarkryq! Do të përdorim të gjitha mekanizmat politikë dhe juridikë për të ndalur këtë çmenduri antishqiptare!
Presidentja dhe kjo qeveri duhet ta dinë një gjë: Shqiptarët nuk do të lejojnë të fshihen! Gjuha jonë është dinjiteti, identiteti dhe e ardhmja jonë – dhe ne do ta mbrojmë me çdo kusht!”, thuhet në reagimin e BDI-së. /SHENJA/