Zëdhënësi për shëndetësi i Komisionit Evorpian (KE), Stefan De Keersmaecker, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) është i hapur për blerjen e vaksinave të koronavirusit të ri (COVID-19) të zhvilluara nga Kina dhe Rusia nëse dozat plotësojnë kriteret, transmeton Kosova Post.
Në konferencën ditore për media, De Keersmaecker tha se përveç efikasitetit dhe sigurisë së provuar klinikisht, blloku evropian kërkon që prodhuesit e vaksinave të përshtaten në “buxhetin e duhur”, si dhe të “kenë kapacitetet e duhura të prodhimit në territorin e BE-së, në mënyrë që ata të mund të furnizojnë sa më shpejt qytetarët e BE-së”.
“Nëse kompanitë mendojnë se mund t’i plotësojnë këto kritere, ata mund të kontaktojnë Komisionin Evropian”, u shpreh De Keersmaecker.
De Keersmaecker po ashtu njoftoi se Agjencia Evropiane e Barnave dhe zhvilluesi i vaksinës ruse Sputnik V janë “në kontakt, por në këtë fazë nuk është bërë asnjë kërkesë për autorizim tregu”.
BE, e cila ka një popullsi prej 450 milionë banorësh, për blerjen e rreth 2.3 miliardë dozave të vaksinës ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë kompani, përkatësisht me Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline.
Blloku pret të marrë deri në 600 milionë doza të vaksinës së koronavirusit deri në fund të muajit shtator nga prodhuesit Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson.
AstraZeneca po ashtu njoftoi se synon të shpërndajë 40 milionë doza në tremujorin e parë të vitit.
Strategjia e Komisionit Evropian për vaksinat synon që vendet anëtare të BE-së të imunizojnë të paktën 70 për qind të popullsisë deri në verë.
Duke akuzuar BE-në për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave, në muajin janar qeveria hungareze nënshkroi kontrata për blerjen e 2 milionë dozave ruse të kompanisë Sputnik V, si dhe të 5 milionë dozave kineze të kompanisë Sinopharm.
Hungaria u bë vendi i parë i BE-së që autorizoi dy vaksinat COVID-19.
Në mungesë të autorizimit të rregullatorit të BE-së, Instituti Kombëtar i Farmacisë dhe Ushqimit i Hungarisë dha miratim për përdorim urgjent për një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh.(AA)