Bashkimi Evropian e ka konfirmuar edhe një herë takimin e nivelit të lartë të 26 qershorit në kuadër të procesit të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, do t’i presë në takim Kurtin dhe Vuçiqin, të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
“Përfaqësuesi i lartë, Josep Borell, dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”.
“Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftim.