Tirana është nikoqire e Samitit të Tretë të Diasporës, aktivitet ky që mbahet si shenjë mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve të cilët ndër vite kanë kontribuar nga vende anekënd botës për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë adresimit të tij para të pranishmëve ka thënë se diaspora është promoterja më eminente e kulturës dhe identitetit tonë. Duke theksuar se shqiptarët e diasporës përherë kanë kontribuuar për atdheun e tyre, ai ka bërë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm me shtetin shqiptar.
“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga institucionet shqiptare për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitetet shqiptare në diasporë. Fëmijët duhet të kenë mundësi të mësojnë shqip kudo që të jenë”, ka theksuar Begaj.
Sipas tij, Shqipëria mund të jetë e kompletuar kur shqiptarët e diasporës ndjehen dhe kanë të drejta të plota në vendin e tyre. E një nga format që ai ka përmendur është përfaqësimi politik.
“Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, pa pasur nevojën të vijnë në Shqipëri. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ”, ka theksuar presidenti shqiptar./rtk