Presidenti Bajram Begaj, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Gjermani, ka zhvilluar sot (19 qershor) një takim kokë më kokë me homologun, Frank-Valter Shtajnmajer . Bëhet me dije se Begaj dhe Shtajnmajer kanë diskutuar lidhur me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe po ashtu për integrimin e Shqipërisë në BE.
Sipas Presidentit Begaj, ky takim është tregues i bashkëpunimit politik mes dy vendeve dhe i vëmendjes “së vazhdueshme” të Gjermanisë ndaj Shqipërisë.
“Ky takim është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, është garanci për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjermani ka dhënë mbështetje për avancimin e reformave në Shqipëri dhe zhvillimin e vendit. Roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm përballë sfidave që komprometojnë të ardhmen euroatlantike. Duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal. E ardhmja evropiane është udhërrëfyes për begatinë e rajonit”, deklaroi Begaj.
Kreu i shtetit nisi dje vizitën zyrtare në Gjermani me ftesë të presidentit gjerman Shtajnmajer.
Në Berlin, presidenti Begaj do të takohet edhe me drejtuesit e shoqatave të diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.
Pas Berlinit, kreu i shtetit do të zhvillojnë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion“ për të mbështetur Kombëtaren në përballjen me Kroacinë për Euro 2024.
Gjithashtu, në agjendën e presidentit Begaj është parashikuar edhe një takim me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nut Flekenshtajn.