Domenico Tedesco nuk është më trajner i Kombëtares së Belgjikës në futboll.
Federata e Futbollit e Belgjikës e ka formalizuar shkarkimin gjatë një takimi të mbajtur të premten.
Tridhjetë e nëntë vjeçari kishte një kontratë që e lidhte me Belgjikën deri në vitin 2026, por rezultatet e dobëta në Kampionatin Europian 2024 dhe në Nations League kanë çuar në fundin e bashkëpunimit.
Pozita e Tedesco u bë e paqëndrueshme pas humbjes së Belgjikës ndaj Izraelit në një ndeshje të zhvilluar në Hungari në nëntor. Për më tepër, mungesa e tij në shortin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në dhjetor e kishte përforcuar idenë e largimit të tij.
Trajneri, i cili e kishte marrë drejtimin e ekipit pas largimit të Roberto Martinez pas Kupës së Botës 2022, kishte nisur punën me rezultate premtuese, duke mos pësuar humbje në trembëdhjetë ndeshjet e para. Megjithatë, një konflikt me portierin Thibaut Courtois, i cili kishte refuzuar të luante për ekipin kombëtar, kishte ndikuar negativisht në atmosferën dhe performancën e skuadrës.
Në dhjetë ndeshjet e fundit nën drejtimin e tij, Belgjika ka arritur të regjistrojë vetëm dy fitore./rtk