Rajoni Wallonia i Belgjikës këtë javë ka filluar të ndal dritat në autostrada për të kursyer energji, transmeton KosovaPost.
Sipas transmetuesit belg ‘RTL’, ministri për Energjinë, Lëvizshmërinë dhe Infrastrukturën e rajonit Wallonia, Philippe Henry, urdhëroi nga sot të ndalen dritat në autostradën E40 në lindje të rajonit.
Dritat po ashtu do të ndalen në pjesën qendrore të rajonit, ndërsa nga e mërkura programi do të vazhdojë në pjesën perëndimore të rajonit.
Dritat në autostrada gjatë tre muajve të ardhshëm do të ndalen nga ora 22:00 në mbrëmje deri në orën 05:00 të mëngjesit, me përjashtim të zonave në ndërtim ose me rrezik të lartë për aksidente.
“Po jetojmë kohë të vështira. Ndikimi i krizës aktuale mund të zbutet duke reduktuar konsumin e energjisë”, tha Henry për gazetarët.
Qeveria e rajonit Wallonia synon të kursejë rreth 400 mijë euro me ndaljen e dritave në autostrada gjatë natës.
Lëvizja është pjesë e planit ‘Lumieres Plan 4.0’ (Plani i dritave 4.0), që synon të rinovojë ndriçimin publik në rajon duke kaluar në zgjidhje teknike më pak të kushtueshme dhe më të përshtatshme.
Rajoni Flanders tashmë ka filluar me zbatimin e masave të ngjashme, me të cilat synohet të kursejnë rreth 2 miliardë euro në vit, respektivisht duke ndal dritat në shumicën e autostradave dhe duke kaluar në një sistem sensor që ndriçon rrugët kur nevojitet.
Sot, Këshilli Bashkiak i Brukselit po ashtu vendosi të reduktojë më tej shpenzimet e tij të energjisë, duke ndalur dritat gjatë natës rreth qendrës historike ‘Grand Place’ dhe në monumentet në qendër të qytetit./AA