Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po sillet në mënyrë joreale ndaj problemeve reale në vend, shkruan KosovaPost.
Beqaj në një intervistë për “Telegrafi”, ka komentuar konferencën e përbashkët për medie në Bruksel, ku kryediplomati evropian, Josep Borrell u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit, ndërsa kreu qeveritar tha se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Beqaj tutje ka thënë se nuk i takon Kurtit të mbajë ligjërata burokratëve të BE-së për interesin demokratik, kur në të njëjtën kohë në Kosovë kërkohet ndërhyrje në sindikata.
“Albin Kurti një kohë të gjatë ndaj problemeve reale po sillet në mënyrën joreale. Nuk varet fati i BE-së nga ne por fati ynë varet edhe nga BE. Prandaj, nuk na takon neve t’i mbajmë ligjërata burokratëve të BE-së, se çka është interesi demokratik dhe çka është demokracia në situatën kur kërkohet në të njëjtën kohë në Kosovë ndërhyrje në sindikata të cilat kanë qenë dora e djathtë e ndryshimit të madh në kohën kur VV-ja ishte në opozitë…?!”, shprehet Beqaj.
Në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Beqaj u shpreh se sjellja në lidhje me këtë temë do të ketë pasoja të cilat siç tha ai mund të dalin në sipërfaqe vitin e ardhshëm.