Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë sot se deklarata e kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, se do të votojë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen, mund të destabilizojë seriozisht të gjithë rajonin.
“Ajo deklaratë është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Ajo deklaratë mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin”, ka thënë Bërnabiq, përcjell Klankosova.tv
“Politika e Albin Kurtit është e qartë, të cilën ai duket se nuk e fsheh. Ajo që e shqetëson më shumë është mungesa e reagimeve të komunitetit ndërkombëtar”, është shprehur kryeministrja serbe për Tanjug.
Kujtojmë se kryeministri Kurti për revistën britanike, “Monocle”, ka thënë se do të votonte pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në një referendum i cili do të duhej të bëhej në mënyrë paqësore e demokratike.
“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do të bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.