Komiteti i Ministrave në Këshill të Evropës nuk e futi në agjendë të shqyrtimit dhe votimit çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE. Kjo ka shkaktuar një valë të madhe pakënaqësie ndër politikanë të shumtë në Evropë, e sidomos në Gjermani, ku ky veprim po cilësohet i padrejtë, por edhe i rrezikshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ndër shumë prononcime, bie në sy ai i Kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, i cili nuk e fsheh aspak irritimin me qeverinë e vendit të tij, duke bërë kështu që ai të përdorë edhe një gjuhë jo të zakonshme për politikën e niveleve kaq të larta.
” M*t! Evropa do të humbasë gjithnjë e më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Situata po përkeqësohet.”, tha ai i shqetësuar për implikimet që mund të sjellë në përgjithësi ky veprim i fundit, në një kontekst të kërcënimit nga rritja e nacionalizmit, autoritarizmit, rritja e ndikimit të Kinës dhe Rusisë në rajon.
“Këshilli i Evropës nuk do të jetë i plotë pa Kosovën”, përfundoi ai.