Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një letër-qarkoreje, u ka kërkuar imamëve të xhamive të Kosovës t’u kërkohet besimtarëve që të jenë shumë të kujdesshëm se nga kush po informohen dhe të kenë kujdes nga persona jashtinstitucionalë me agjenda të dyshimta e të dëmshme për fenë dhe kombin.
“Si muslimanë që jemi, kemi obligim fetar që të jemi shumë të kujdesshëm se nga kush po informohemi dhe prej kujt po i marrim njohuritë tona. Bëjmë thirrje që të kemi kujdes edhe nga disa të vetëquajtur imamë, persona jashtinstitucionalë, të cilët nuk kanë as njohuri fetare, e as dinjitet njerëzor e kombëtar, për më tepër kanë agjenda të dyshimta e të dëmshme për fenë tonë”, thuhet në këtë letër-qarkore.
BIK, përmes kësaj letre, shton se në këtë kohë kur bota ballafaqohet me sfida të shumta, lutet për paqe mes gjithë popujve të botës, pa dallim.
“Lutemi për ndalje të të gjitha luftërave e konflikteve në botë, dhe njëkohësisht ju bëjmë thirrje gjithë besimtarëve tanë si në vend ashtu edhe në mërgatë që, në këto kohë krizash e sfidash për vendin e botën, të jenë të matur, të kenë kujdes mos të bien pre e provokimeve e nxitjeve, me qëllim që të ruajmë unitetin tonë e të punojmë në të mirë të fesë, vendit e kombit, thuhet tutje në këtë letër, të cilën e ka parë RTKlive.
BIK tutje shton se në këto ditë të Ramazanit lutet për mirëqenien e qytetarëve tanë, familjeve tona dhe të dashurve tanë edhe në mërgatën e largët, e në veçanti besoj se duhet të lutemi edhe për punonjësit e institucioneve të rendit dhe sigurisë të Kosovës.