Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se beson që festivali “Mirëdita, dobar dan” që pritet të mbahet në fund të qershorit në Beograd, duhet të anulohet.
Festivali organizohet që prej vitit 2014 dhe ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.
Daçiqi ka thënë se ngjarja nuk po organizohet “në hapësirën shtetërore” dhe se nuk mund të thotë në këtë moment se çfarë do të marrë përsipër shteti.
“Policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të jashtme, kurse kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të mbyllura ne nuk kemi asnjë rol. Mendoj se në përgjithësi është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe apelojmë që të anulohet e gjithë ngjarja”, ka thënë ai në televizionin “Pink”.
Më herët organizatorët e festivalit, i cili mbahet prej dhjetë vitesh në Beograd, njoftuan se programi këtë vit do të modifikohet në mënyrë që të mos ketë ngjarje publike kur në Serbi festohet Vidovdani – më 28 qershor.
Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Beogradit, Aleksandër Shapiq, deklaroi më 15 qershor se administrata e qytetit nuk do të japë asnjë lloj miratimi për mbajtjen e këtij festivali, ndërsa organizatorët i akuzoi se “ia kanë futur gishtin në sy shtetit serb” pasi “Mirëdita” po mbahet në Vidovdan.
Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka deklaruar se mbajtja e festivalit të kulturës së Kosovës në Vidovdan është “fyerje të cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.
“Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, ka thënë Vulini.