Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke theksuar se BE-ja ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekuencuar.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, iu përgjigj BE-së të premten pasdite, duke e përsëritur pretendimin e Kurtit se vetëm Kosova kishte bërë propozim gjatë takimit të 14 shtatorit në Bruksel.
“Drafti i fundit i të dërguarit special të BE-së për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, u nda me kryenegociatorin e Kosovës më 19 korrik. Ofronte një modifikim margjinal në krahasim me draftin e mëparshëm. Në takimin e nivelit të lartë më 14 shtator vetëm kryeministri i Kosovës paraqiti një draft thelbësor dhe gjithëpërfshirës”.
“BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, por këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t’u fokusuar vetëm në AKSHS. Çdo raportim alternativ është një shtrembërim i qartë dhe i qëllimshëm i së vërtetës”, shkroi Bislimi në platformën X.


























