Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Qeveria e Kosovës në ditët në vijim do të dalë me listë prej 10 masave, me të cilën do të tregojë se si do të kujdeset që qytetarët të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb.
Këtë Bislimi e ka bërë të ditur të mërkurën, teksa ka marrë pjesë në tryezën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar.
Bislimi ka shtuar se janë “të vetëdijshëm” që “në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve, të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Serbia”.