Blinken kërkon mbështetje në Lindjen e Mesme të planit të fundit për armëpushim i ofruar nga vetë presidenti amerikan Joe Biden. Ky plan pritet të dërgohet për miratim edhe në Këshill të Sigurimit.
Përderisa Izraeli po vazhdon të sulmojë Gazën, SHBA po përpiqet të rrisë presionin në Këshill të Sigurimit në OKB për të shtyrë përpara një plan armëpushimi.
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, do të mbërrijë sot në Lindjen e Mesme për të nxitur propozimin e fundit që palët të ulin armët mes luftës së Izraelit dhe Hamasit. Vizita e tetë e Blinkenit kërkon mbështetje për draftin e fundit të marrëveshjes së armëpushimit të paraqitur nga presidenti Joe Biden 10 ditë më parë.
Në Kajro, Blinken do të takohet edhe me presidentin egjiptian përpara se të vizitojë Izraelin për një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant.
Përveç presionit të propozimit të armëpushimit, sekretari amerikan do të diskutojë rihapjen e pikës kufitare Rafah me Egjiptin, pikë kjo jetike për dërgimin e ndihmave në Gaza e që Izraeli mori nën kontroll përgjatë pushtimit tokësor në jug të enklavës muajin e kaluar.
Që nga fillimi i konfliktit të radhës mes Izraelit dhe Palestinës, më shumë se 37,000 palestinezë janë vrarë në Gaza dhe rreth 84,000 janë plagosur, kryesisht gra dhe fëmijë.