Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në parakalimin e FSK-së dhe të PK-së për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit ka thënë se sot jemi bashkë për të festuar një nga ditët më domethënëse në historinë e shtetit tonë.
Osmani ka thënë se në këtë ditë nderojmë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës.
“Sot jemi bashkë për të festuar një nga ditët më domethënëse në historinë e shtetit tonë, 12 Qershori, Ditën e Çlirimit. Në këtë ditë nderojmë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës, popull i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot”, tha ajo.
Ajo më tej tha se kjo është një ditë për ta kujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme, por po ashtu për të festuar të tashmen tonë për të synuar një të ardhme të mbushur me shpresë e prosperitet
“Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë në vitin 1999 u mbrojt e drejt a e popujve për të qenë i lirë. Në këtë luftë UÇK ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Gratë dhe burrat trima morën armët për ta mbrojtur të drejtën ton për të ekzistuar”, ka deklaruar Osmani.
Tutje, ajo tha se lufta e UÇK-së nuk ishte vetëm për tokën, por për vetë shpirtin e Kosovës.
“UÇK ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, gratë dhe burrat trima morën armët për të mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Lufta nuk ishte vetëm për tokën por për vetë shpirtin e Kosovës. Çdo jetë që ata e rrezikuan na solli një hap më afër lirisë. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me mirënjohje që nuk mund të shlyhet kurrë dhe duhet të kujtohet e nderohet përgjithmonë”, tha Osmani.