Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, tha në një intervistë se që nga lufta në Ukrainë, Evropa nuk është më vendimmarrëse në botë, transmeton KosovaPost.
Gjatë një interviste me kanalin saudit Al-Arabiya, Borrell vuri në dukje se bota sot është shumëpolare dhe se hegjemonia amerikane ka marrë fund.
Shefi i diplomacisë evropiane theksoi se vendet arabe tani po luajnë një rol gjeopolitik përmes energjisë dhe burimeve të tjera.
Duke iu referuar deklaratave të tij të fundit kontroverse, Borrell vazhdoi: “Kërkoj falje për keqkuptimin që ndodhi pasi thashë se Evropa është një kopsht dhe pjesa tjetër e botës është një xhungël”.
Në një pjesë tjetër të intervistës së tij, ai tha se përballja mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është në qendër të vëmendjes globale. “Unë i kuptoj ndjenjat anti-imperialiste në Amerikën Latine dhe ndjenjat anti-koloniale në Afrikë”, theksoi Joseph Borrell.
Lufta në Ukrainë, pasojat e saj për vendet perëndimore, veçanërisht në fushën e mungesës së karburanteve dhe energjisë, ishin tema të tjera të intervistës së tij. Në përputhje me këtë, duke trajtuar ndikimin e luftës në Ukrainë në rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar zonën e konfliktit nga oqeani Indian dhe Paqësor, në Evropë. “Ne duhet të ndërtojmë strategji efektive për të shkuar përtej fazës së kërkimit të alternativave ndaj gazit dhe energjisë së Rusisë”, shtoi Joseph Borrell, duke specifikuar se Bashkimi Evropian nuk është një fuqi ushtarake, por një grup potencialesh ekonomike dhe teknike./KosovaPost/.