Peruja rezultoi një “kockë” e lehtë për Brazilin që mori fitoren e dytë në grupin B të Copa America duke blinduar vendin e parë. Në Estadio Olimpico Nilton Santos në Rio De Janeiro, Seleçao triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 në një ndeshje të dominuar nga skuadra e Tites që u ngjit në kuotën e 6 pikëve.
Brazili arriti të zhbllokonte shifrat shumë shpejt që në minutën e 12-të me Alex Sandron që shfrytëzoi asistin e Gabriel Jesus dhe me një goditje fluturimthi nuk i dha asnjë shans portierit të Perusë Gallese. Pavarsisht përpjekjeve të Neymar apo Gabriel Barbosas pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0, ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me dy zëvendësime te Brazili me Titen që hodhi në fushë Richarlison dhe Everton Ribeiron. Pas disa mundësive të mira vendasit gjetën edhe golin e dytë me Neymar Jr.
Një gol i bukur i sulmuesit të Paris Saint Germain me një goditje tokazi nga distance pas topit të marrë nga Fred. Atëherë kur mendohej se ky duel do të përfundonte me fitoren 2-0 të 5-herë kampionëve të botës, Brazili realizoi edhe dy herë të tjera në minutat e fundit të sfidës pikërisht me dy lojtarët që hynë në fushë nga stoli në fillim të pjesës së dytë me mesfushorin e Flamengos Everton Ribeiro dhe sulmuesin e Everton Richarlison për rezultatin final 4-0. Nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola Kolumbia në sfidën ndaj Venezuelës në Goiana. Një pikë që gjithsesi është shumë e vlefshme për Los Cafeteros në garën për kualifikimin. Skuadra e Reynaldo Ruedas kishte një marsh më shumë se kundërshtari por në fund shpërdoroi shumë dhe mori vetëm një barazim. Për ndeshjen e ardhshme ndaj Perusë Kolumbia humbi shërbimet e Luis Diaz i cili u ndëshkua me karton të kuq në sekondat e fundit të sfidës.