Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kërkuar të ketë qartësim nga ana e ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, i cili tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Më tej, Vuçeviç ka theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe kërcënoi hapur me destabilizimin e rajonit.
Osmani, përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), ka theksuar se Maqedonia e Veriut e refuzon çdo interferencë dhe deklaratë të papërshtatshme prej zyrtarëve fqinjë.
Një reagim e ka pasur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një publikimi në profilin e tij në “X” duke e etiketuar këdo që kërkon të minojë stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si të rrezikshëm dhe të papranueshëm dhe ka deklaruar forcërisht se nuk do ta lejojë askënd ta kthejë Ballkanin pas në kohë.
Në shkrimin e kryeministrit shqiptar, përmendet se si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të treja pjesë e aleancës së madhe të NATO-s dhe se si vendet janë të përkushtuara për sigurinë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon, atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku!”, përforcon ai.
Ndërsa, në fund, e saktëson se e vetmja e ardhme e përbashkët e rajonit, është Evropa e Madhe.