Bunkerët e Shqipërisë komuniste po bëhen atraktivë me forma te reja

Bunkerët e Shqipërisë komuniste po bëhen atraktivë me forma te reja

Pronari i një hoteli në Shqipëri, Kujtim Roçi, asnjëherë nuk do ta harrojë vitin 1992. Ishte viti kur djali i tij i madh Elesio u lind dhe koha kur ai nisi një biznes të vogël afër plazhit në qytezën bregdetare të Golemit.

Pak kohë pas rënies së komunizmit, Roçi vendosi që t’i transformojë në bar bunkerët në plazhin e Golemit me qëllim që të bëjë para për të kaluar kohët e vështira. Derisa shumë miq të tij qeshën me këtë ide, biznesi shumë shpejt nisi të rritej. Bari më pas u bë restorant, i cili më pas u rrit në hotel të madh të ndërtuar rreth bunkerëve dhe mori emrin e djalit të tij të madh.

“Kjo copë betoni më bëri ai që jam sot”, ka thënë Roçi, derisa ka treguar një pjesë të bunkerit që ende shihet nga hyrja e hotelit, transmeton “Koha Ditore” një reportazh të Euronews. Bunkeri të cilin Roçi e zhvilloi në biznes është vetëm një prej mijëra të tillëve që ndodhen në mbarë Shqipërinë – një mbetje e qëndrueshme e epokës komuniste.

Nga frika e pushtimit nga të huajt, lideri shqiptar komunist, Enver Hoxha, kishte urdhëruar që të ndërtoheshin 173 mijë e 371 bunkerë në mes të viteve 1975 dhe 1983, që shqiptarët të fshiheshin dhe të luftonin nga aty. Sidoqoftë, sulmet e tilla kurrë nuk ndodhën. Në fakt, vetëm atëherë kur shqiptarët si Roçi i kthyen bunkerët në bare të plazhit, restorante, depo, kolibe për qentë dhe muze, atëherë ata hynë në përdorim. I ndërtuar për Hoxhën dhe asistentët e tij, kompleksi i fshehur është bërë hapësirë kulturore ku zënë vend ekspozita, performanca dhe koncerte. Tani tërheq shumë turistë dhe rangohet si atraksioni numër një i Tiranës në “TripAdvisor”.

Pas suksesit të operatorit “Bunk’Art”, asociacioni shqiptar “Qendra Ua” hapi një tjetër muze të quajtur “Bunk’Art2” në qendër të Tiranës në nëntor të vitit 2016. Lokacioni i muzeut të dytë është ish-bunker nuklear që i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Bunk’Art” thotë se është një prej dëshmive më të mira të projektit për “bunkerizim” të Hoxhës. Sidoqoftë, ndërtimi i një hyrjeje në formë të kupolës në muze ishte vonuar për shkak të protestave politike kundër asaj që disa e quajtën si “nostalgji për kohët e kaluara të dhunshme”. Për të luftuar këtë perceptim dhe për t’i përdorur bunkerët për një Shqipëri moderne, disa artistë vendorë po ashtu i kanë përdorur bunkerët për të promovuar mesazhe për pozitivet dhe prosperitet.

Projekti “Treffpunkt Bunker” i udhëhequr nga një grup i studentëve gjermanë, të mbledhur disa herë me artistët shqiptarë të cilët ngjyrosën dhe ridizajnuar pjesë të ndryshme të bunkerit në një kodër të Tiranës, është një prej tyre.

“Edhe pse kishte aq shumë trishtim dhe vuajtje në atë kohë, njerëzit prapë gjenin mënyra për të shijuar jetën dhe doja që të ruaja kujtimin tim të asaj kohe”, ka thënë një prej artistëve, Stela Sulioti, e cila qëllimisht ka përdorur vetëm ngjyra të lehta në dizajnin e saj.

Arkitekti Arnen Sula për një kohë të gjatë ka eksploruar mënyra të ndryshme të ripërdorimit të bunkerëve, prej sallave të tatuazheve e deri te strehimoret e kafshëve. Ai thotë se disa bunkerë, të cilët janë dëmtuar dhe shkatërruar pas kolapsimit të regjimit komunist, duhet të lihen në atë mënyrë.

“Tregon zemërimin që njerëzit kishin me të kaluarën tonë komuniste dhe vështirësitë tona ekonomike, pasi që ata morën gjithçka që mundën prej tyre, duke filluar nga orenditë, kabllot elektrike, materialet për filtrimin e ajrit apo edhe tullat”, ka thënë ai. Por Sula mendon se bunkerët që ende janë në gjendje të mirë mund të ndihmojnë në ekonominë e vendit duke u transformuar në zona të brendshme të blegtorisë, dhoma të ftohjes, kinema, hotele, hapësira për ekspozim dhe punëtori të ndryshme.

“Do të rriste numrin e punësimit, do të përkrahte turizmin dhe do të gjeneronte kushte ekonomike për rajonet ku bunkerët janë të vendosur”, ka shtuar ai.

Related Posts

You may also like

Islami dhe Perёndimi nuk janё kontradiktё

Sipas njё studimi tё institutit tё Uashingtonit “Pew