Gjykata Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Isuf Zekajt, njërit nga kirurgët që akuzohen për marrje të parave për trajtimin e pacientëve në Spitalin e Vushtrrisë.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Zekajt, Mahmut Halimi, i cili tha se Gjykata Themelore e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë në çështjen kundër Dr.Isuf Zekaj, u refuzua kërkesa për paraburgim e Prokurorisë Themelore dhe iu caktua masa e arrestit shtëpiak. Beteja vazhdon drejtë zbulimit te prapaskenave dhe hijeve të errëta”, ka shkruar Halimi.
Kujtojmë se në lidhje me rastin janë suspenduar tre kirurgë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe një anëtar i bordit të ShSKUK-së është shkarkuar.