Televizioni amerikan “CBS News” ka kërkuar të falur pas letrës paralajmëruese që kishte marrë nga drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, pasi në një raportim televizioni e kishte treguar Stambollin si pjesë të Greqisë, transmeton KosovaPost.
Drejtoria e Komunikimeve njofton se menaxhmenti i rrjetit televiziv “CBS News” ka kërkuar falje për gabimin në lidhje me Turqinë dhe Stambollin në një hartë të paraqitur në lajmin për luftën Rusi-Ukrainë.
“Kjo paraqitje grafike, e cila e tregon gabimisht Stambollin si pjesë të Greqisë, jo të Turqisë, u korrigjua sapo gabimi i bërë u soll në vëmendjen tonë. Ne i përmbahemi parimit të saktësisë në të gjitha lajmet tona dhe do të rishikojmë proceset tona të transmetimit për të parandaluar përsëritjen e një gabimi të tillë në të ardhmen. Ju falënderojmë që kontaktuat me ne dhe na dhatë mundësinë që t’ju kërkojmë ndjesë në emër të CBS News”,- thuhet në postimin e bërë nga televizioni amerikan.
Pasi “CBS News” kishte bërë dezinformacion duke e treguar Stambollit si territor grek në një raportim për kalimin e anijeve luftarake ruse nga ngushticat turke, drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Altun kishte kërkuar nga rrjeti televiziv amerikan që ta korrigjonte menjëherë këtë gabim dhe të bënte shpjegimet e nevojshme.
“Duhen marrë masat e duhura për të shmangur çdo hap që do të sfidonte integritetin territorial të Turqisë”, kishte theksuar drejtori i Komunikimeve në letrën dërguar “CBS News”./trt