Ndeshja e mbrëmshme ndërmjet Spanjës dhe Kosovës, përfundoi me humbje për përfaqësuesen tonë. Përkundër golit të bukur të Besar Halimit, ekipi ynë nuk ia doli të nxirrte një rezultat pozitiv – shkruan Kosova Post.
E përditshmja sportive MARCA ia ka kushtuar një artikull të tërë ndeshjes, ndërsa e vë theksin tek siguria me të cilën u shfaq në fushën e blertë kombëtarja spanjolle.
“Golat nga Dani Olmo, Ferran Torres dhe Gerard Moreno e çuan Spanjën drejt një fitoreje 3-1 ndaj Kosovës, në fazën kualifikuese për Kupën e Botës – Katar 2022, të mërkurën në mbrëmje në Estadio La Cartuja në Sevilje.
Olmo, heroi i fitores të së dielës në Gjeorgji, e hapi rezultatin në pjesën e parë, i ndjekur nga Ferran, për të vijuar me një gabim nga portieri Unai Simon që ia hapi dyert Kosovës për një rikthim në pjesën e dytë. Sidoqoftë, nikoqirët goditën më pas përmes Gerard Moreno, për ta mbyllur një ndeshje pa nerva të tendosura” – thuhet ndër të tjera në artikullin e Marca-s.
Raporti vijon me faktin se Sergio Ramos, mbrojtësi veteran u la jashtë pjesës së parë nga Luis Enrique, duke shtuar se si Spanja, megjithatë e kontrolloi lojën në pjesën pjesën më të madhe të kohës. Por nuk e lë pa e përmendur vështirësinë deri te ardhja e golit të parë:
“…por shansi i parë i vërtetë nuk erdhi deri në mes të gjysmës, deri në momentin kur Alvaro Morata provoi nga distanca me anë të një gjuajtje të largët, për t’u sanuar nga ndërhyrja e bukur e një mbrojtësi të Kosovës.”
Golin e Olmos e përshkruan kështu:
“Një qarkullim i mirë i topit përfundoi me gjetjen e këmbës së djathtë të Olmo-s dhe njeriu i RB Leipzig e realizoi bukur nëpërmjet një goditjeje në këndin e sipërm të djathtë të rrjetës, për një epërsi prej 1-0.”
Kjo do t’ia hapte dyert e fitores Spanjës, sipas Marka-s dhe goli i dytë nuk do të vononte shumë.
“…në pjesën e dytë, zotëroi ndjenja që Spanja do ta vijonte stilin e hapur të ndeshjes” – vijon artikulli, por vë në pah përpjekjen e përfaqësueses sonë e cila “punoi fort për ta rikthyer rezultatin”.
“Një minutë pasi Luis Enrique shkëmbeu Morata-n dhe Pedri-n për Gerard dhe Fabian Ruiz, Kosova zbuti rezultatin me anë të një një goli (2-1), përmes Besar Halimit. Simon u largua nga vija e tij e mbrojtjes, për të pastruar një top, por e humbi kontrollin nga një prekje, dhe Halimi ishte aty për ta goditur topin me anë të një gjuajtje nga distanca, ndërsa porta ishte e boshatisur.”
https://www.youtube.com/watch?v=eiue4NTO6hY&ab_channel=Bler1na%2a
Paraqitja e mbrëmshme e Kosovës, në opinionin kosovar kaloi nëpër një valë kritikash, por të shumtët e pranonin se ajo e kishte të vështirë me një superfuqi në futboll, siç është Spanja. Goli i Halimit, sipas njohësve të futbollit, megjithatë tregon se Kosova mund të bëjë më shumë./KosovaPost/